Fotografia e parë zyrtare e Kate Middelton, që u publikua pas ndërhyrjes së saj kirurgjikale, është hequr nga disa prej agjencive më të mëdha të lajmeve në botë për shkak të pretendimeve se ajo mund të jetë rregulluar me fotoshop.
AFP, Reuters dhe Associated Press kanë vënë në dukje një “mospërputhje në shtrirjen e dorës së majtë të Princeshës Charlotte”. Në foto shihet Kate Middelton e ulur, e rrethuar nga Princesha Charlotte, Princi Louis dhe Princi George, ky i fundit duke i mbështjellë duart rreth saj.
Shumica e agjencive të lajmeve ndjekin udhëzimet e tyre strikte për përdorimin e fotografive të edituara, duke i përdorur ato vetëm kur shoqërohen me një shpjegim se imazhi është ndryshuar nga origjinali.
Pallati mbretëror ka refuzuar të komentojë pasi fotografia u tërhoq nga agjencitë e lajmeve më prestigjioze.
Fotoja, e publikuar për të shuar thashethemet lidhur me shëndetin e Kate vetëm sa i ka ndezur më tepër ato. Pallati mbretëror ka ndarë pak detaje rreth gjendjes shëndetësore të Princeshës së Uellsit duke shtuar dyshimet se gjendja shëndetësore e 42-vjeçares mund të jetë e rëndë por familja mbretërore po e mban të fshehtë.