Mimi Kodheli, ishministre e Mbrojtjes, apelon për hetim të thelluar nga instancat përkatëse të ngjarjes së rëndë në Gramsh dhe Poliçan, ku tre “turistë” rusë sulmuan si terroristë.
Kodheli, e cila e drejtoi me dorë të fortë Ministrinë e Mbrojtjes përgjatë viteve 2013-2017, tregon për gazetën “Panorama” se ka pasur raste të tilla spiunazhi edhe gjatë kohës që drejtonte këtë dikaster dhe me gjasa do të ketë sërish.
Kodheli kujton një rast, i cili sipas saj, është neutralizuar në bashkëpunim me aleatët dhe disa persona janë shpallur “non grata”. Mimi Kodheli thotë se në kohët që jetojmë, duhet vëmendje e shtuar, gatishmëri më e lartë dhe profesionalizëm.
Kodheli nuk e konsideron ngjarjen e Gramshit si cenim të sigurisë kombëtare, pasi siç shprehet ajo: “Cenimi i sigurisë kombëtare është fjalë e madhe, por gjithsesi nuk vjen me ngjarje të kësaj natyre apo të këtyre përmasave”.
Znj. Kodheli, si e konsideroni projektin e Kryeministrit Edi Rama për dhënien e pasaportës shqiptare për investitorët e huaj? Kjo nismë a përbën rrezik për vendin tonë, ku mund të futen spiunë të kamufluar në Shqipëri, sidomos nga Rusia?
Unë mendoj se duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm, por le të mos biem në paranojë. Praktika e dhënies së nënshtetësisë qytetarëve që investojnë me seriozitet në një vend të caktuar është një praktikë e njohur në shumë vende, të BE-së po ashtu. Investimet e huaja përfaqësojnë një zë të rëndësishëm në ekonominë shqiptare dhe ka qenë prioritet i qeverisë sonë që prej fillimit të ardhjes në krye të punëve të vendit. Investimet serioze rrisin ekonominë dhe shtojnë vendet e punës. Dhënia e pasaportës shqiptare thjeshtëson procedurat, ndaj edhe janë shumë vende që e praktikojnë. Thjesht dhënia e nënshtetësisë duhet të bëhet sipas ligjeve në fuqi dhe duhet të justifikojë investimin në vendin pritës gjithashtu. Ajo çka është e rëndësishme do të ishte “skanimi” që u bëhet personave të interesuar si për sa i përket “pastërtisë” se personit dhe aktivitetit të tyre, si dhe përmasave e seriozitetit të investimit të tyre në vendin tonë.
BE-ja i ka kërkuar qeverisë tërheqjen nga skema e shtetësisë për investitorë që sipas Brukselit bie ndesh me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe përbën rrezik për Shqipërinë dhe për Unionin. A duhet rishikuar ky projekt…?
Hapja e negociatave me BE-në do të sjellë “një lumë” kërkesash të reja përafrimi, për të cilat do të na duhet të bëjmë ndryshime ligjore të vazhdueshme. Edhe vendet themeluese vazhdojnë ta kenë këtë qasje me legjislacionin e tyre. E rëndësishme është që kërkesat e tyre dhe përgjigjet tona të jenë në kohën e duhur dhe të argumentuara.
Shitja e pasaportës shqiptare tek investitorët e huaj, a është “një devijim” nga angazhimi i Shqipërisë për të përafruar legjislacionin e saj me BE-në?
Shitja e pasaportës është një term që nuk më pëlqen, madje më duket keqdashës. Gjithsesi, përgjigjen jua dhashë në pyetjen e parë që më bëtë.
A rrezikojmë të kemi infiltrim të krimit të organizuar, pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet “aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta në një skemë të ardhshme shqiptare”?
Rreziku për gjithçka keni listuar ekziston me apo pa ekzistencën e aplikantëve të mundshëm. Ajo çka është e rëndësishme, në gjykimin tim, mbetet forcimi i institucioneve ligjvënëse e ligjzbatuese, shkëmbimi i informacionit të nevojshëm midis strukturave kryesisht të inteligjencës, brenda dhe jashtë vendit, rritja e besimit të ndërsjellë etj.
A gaboi Kryeministri Edi Rama që mori vendimin për anulimin e vizave për rusët?
Pas ngjarjeve të fundshkurtit të këtij viti, Europa madje dhe bota mbarë u bë dëshmitare e një agresioni që ka tronditur çdo opinion. Shqipëria iu përgjigj me dinjitet, mbase edhe jashtë mundësive të saj, vendimit të Aleancës për të ndihmuar dhe mbështetur luftën e drejtë të popullit ukrainas në mbrojtje të territorit dhe lirisë së tij. Po ashtu, vendi ynë është nga të parët që u është përgjigjur kërkesave të BE-së lidhur me sanksionet e vendosura oligarkëve rusë të lidhur me regjimin, sistemit bankar e shumë të tjera si këto.
Ne pamë “turistë” që sulmojnë si terroristë, por ngjarja e Gramshit dhe Poliçanit, a mund të ishte parandaluar?
Besoj dhe shpresoj që do të ketë hetime të thelluara lidhur me ngjarjet e ditëve të fundit dhe vetëm atëherë do të duhet të bëjmë analiza e komentojmë siç na takon. Ajo që mund të komentoj për momentin është se në kohërat që jetojmë, globalizëm dhe teknologji e lartë, lëvizje e lirë dhe rritje e presionit nga vende jomiqësore me vendin tonë, duhet vëmendje e shtuar, gatishmëri më e lartë dhe profesionalizëm. Amatorizmi, qoftë edhe kur komentojmë “me kompetencë”, në rastin më të mirë, nuk na çon asgjëkund.
A kemi të bëjmë me një agresion të paprecedent në territorin shqiptar, për më tepër ndaj ushtarakëve tanë, në një territor ushtarak nga shtetas rusë? A cenohet siguria kombëtare?
Cenimi i sigurisë kombëtare është fjalë e madhe, por gjithsesi nuk vjen me ngjarje të kësaj natyre apo të këtyre përmasave.
Çfarë fshihet pas sulmit ndaj ushtarakëve shqiptarë në uzinën ushtarake të Gramshit nga shtetas rusë?
Më parë duhet të flasin organet që kanë nën përgjegjësi këtë hetim e më pas ne të ngremë hipoteza e të dalim me konkluzione.
Këto objekte, a ruhen si objekte të sigurisë kombëtare?
Ka ligj e disa rregullore që lidhen me kategorizimin e objekteve ushtarake dhe mënyrën si ato ruhen.
A lind domosdoshmëria e rishikimit të ligjit për Policinë Ushtarake?
Nuk besoj. Ligji është shumë i mirë e megjithatë gjithmonë mund të ketë nevojë për përmirësime.
Gjatë kohës që ju keni drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, a ka pasur raste të tilla spiunazhi dhe si janë neutralizuar?
Ka pasur. Me gjasë do të vazhdojë të ketë, ndaj dhe ekzistojnë strukturat e mbrojtjes. Të paktën në një rast për çka kujtoj, rasti është neutralizuar në bashkëpunim me aleatët dhe disa persona janë shpallur “non grata”.
Shërbimet ruse nën petkun diplomatik, a kanë tentuar edhe më herët që të korruptojnë ushtarakë dhe civilë shqiptarë për qëllimet e tyre subversive?
Për këtë duhet të pyesni drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës.
Është nevojë urgjente ndërtimi i një Agjencie të Sigurisë Kombëtare, e cila t’i shqyrtojë dhe ndjekë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Sigurinë Kombëtare?
Mund të ketë nevojë për rregullime ligjore, por nuk shikoj nevoja urgjente. Mendoj që gjërat duhen bërë të menduara mirë dhe me realizëm. Në çfarë gjendjeje janë uzinat e armëve aktualisht? Si mund të rivendosen ato në punë? A ka plane zhvillimi për to…? Kanë një histori të gjatë mbas shpine uzinat ushtarake në Shqipëri, histori që daton herët në vitet e regjimit. Shumica e tyre janë jashtë funksionit. Për disa prej tyre ka plane zhvillimi. Gjithsesi, sot ka ndryshuar qasja e mënyrës se si furnizohen Forcat e Armatosura me armatim e municion./panorama