Nga Joe Phelan
Në tregimin e shkurtër të Liu Cixin “Toka endacake”, botuar për herë të parë në revistën kineze “Science Fiction World” në korrikun e vitit 2000, Cixin portretizon një skenar në të cilin udhëheqësit e planetit bien dakord ta largojnë Tokën nga sistemi diellor, për t’i shpëtuar një shpërthimi të afërt të Diellit që pritet të shkatërrojë të gjithë planetët.
Natyrisht kjo histori bazohet tek fanta-shkenca. Por a mund të largohet vërtet Toka ndonjëherë nga sistemi diellor? “Kjo gjë nuk ka gjasa të ndodhë”- thotë për Live ScienceMateo Çerioti, inxhinier i hapësirës ajrore dhe pedagog i inxhinierisë së sistemeve hapësinore në Universitetin e Gllasgout në Britani.
Por sipas tij termi “nuk ka gjasa”, nuk do të thotë se është e pamundur.
“Toka mund të largohet nga orbita e saj vetëm nëpërmjet veprimit të një objekti të madh ndëryjor, qëfluturon nëpër hapësirën ndëryjore, dhe që vjen në sistemin tonë diellor duke kaluar pranë Tokës. Në një skenar të tillë, Toka dhe objekti i madh qiellor do të shkëmbenin energji dhe nëmoment orbita e Tokës do të ndryshonte. Nëse objekti do të ishte i shpejtë, i madh dhe mjaftueshëm afër, ai mund ta projektonte Tokën drejt një orbitë të drejtuar jashtë sistemit diellor”- shton eksperti.
Ndërkohë Timoti Dejvis, lektor i fizikës dhe astronomisë në Universitetin e Kardifit në Mbretërinë e Bashkuar, bie dakord se teorikisht Toka mund të nxirret nga sistemi diellor, dhe madje ka edhe hipotezën e tij se si mund të ndodhë kjo.
“Planetet, në formën që ekzistojnë sot, rrotullohen në orbita të qëndrueshme rreth Diellit. Por nëse Dielli do të kishte një kontakt të afërt me një yll tjetër, atëherë ndërveprimet gravitacionale të këtyre trupave mund t’i tronditin këto orbita, dhe të bëjnë që Toka të nxirret nga sistemi diellor”– thotë Dejvis.
Por ndërsa ky skenar është i realizueshëm, Dejvis shton se është tepër e dyshimtë nëse do të ndodhë, të paktën në të ardhmen e parashikueshme.
“Dukuri të tilla janë shumë të rralla,” tha Davis. “Për shembull, ne e dimë që ylli “Gliese 710” pritet t’i afrohet Diellit brenda 1 milion vjetësh, por as kjo lëvizje nuk ka gjasa të shqetësojë planetët e sistemit”- thotë ai.
Pra ndërsa është e pamundur që forcat e jashtme ta detyrojnë Tokën të dalë nga sistemi diellor në një kohë të afërt, a mund të ndërtojë njerëzimi makineri të afta për ta zhvendosur planetin në një shkallë të tillë që të përfundojë duke ndryshuar orbitën?
“Energjia e nevojshme për të zhvendosur Tokën nga orbita e saj dhe për ta nxjerrë atë nga sistemi diellor është shumë e madhe, e barabartë me 1 sekstilion megaton (një 1 me 21 zero pas) bomba bërthamore që shpërthejnë menjëherë. Dhe kjo duket e pamundur”- thotë Dejvis.
Edhe pse një ngjarje e tillë nuk është aspak e mundur, çfarë do të ndodhte nëse Toka do të shkëputej nga sistemi diellor?
“Toka do të fluturonte në hapësirën ndëryjore derisa të kapej apo gëlltitej nga një yll tjetër apo një vrimë e zezë”- thotë Ceriotti, duke shtuar se nëse Toka do të largohej nga sistemi diellor, kjo do të sillte shkatërrimin e shumicës dhe ndoshta tëgjithë jetës në planet.
“Nuk ka gjasa të vazhdojë të ekzistojë atmosfera. Klima globale e Tokës është shumë delikate për shkak të një ekuilibri të mirë të rrezatimit që vjen nga Dielli dhe energjisë së shpërndarë në hapësirën e thellë. Nëse do të ndryshonte, temperaturat do të ndryshonin menjëherë dhe në mënyrë dramatike”- thotë Çerioti.
Edhe Dejvis bie dakord që shumica e jetës në Tokë nuk do t’i mbijetonte largimit kataklizmik nga sistemi diellor. Nëse Toka do të largohej nga sistemi diellor, ka shumë të ngjarë që do të zhdukej shumica dërrmuese e jetës siç e njohim ne.
Gati e gjithë energjia e përdorur nga organizmat e gjallë të Tokës buron nga Dielli, ose drejtpërdrejt (bimët që bëjnë fotosintezën), apo indirekte (barngrënësit që hanë bimët, dhe mishngrënësit që hanë barngrënësit).
“Në këtë skenar, sa më shumë që Toka të largohej nga Dielli, aq më e ulët do të bëhej temperatura e saj. Në fund do të ngrinte plotësisht. I vetmi burim natyror i nxehtësisë, do të ishte prishja e elementeve radioaktive në koren e Tokës të mbetur nga formimi i sistemit diellor. Disa ekstremofilë (kafshë/bimë që mund të jetojnë në mjedise ekstreme) mund të mbijetojnë falë kësaj energjie, por jeta komplekse ka të ngjarë të zhduket plotësisht. Kjo nxehtësi radioaktive do t’i lejonte Tokës vetëm të kishte një temperaturë prej rreth minus 230 gradë. Në këto temperatura do të ngrinte pjesa më e madhe e atmosferës, duke e lënë Tokën si një botë të vdekur dhe të akullt që lëviz midis yjeve– shprehet Dejvis.
Duke parë larg në të ardhmen, Çerioti mendon se sistemi ynë diellor do të trazohet shqetësohet aq shumë, saqë Toka ose do të largohet prej tij, ose do të shkatërrohet tërësisht.
“Ne parashikojmë se galaktika jonë është në rrugën e përplasjes me Andromedën, galaktikën tonë fqinje më të afërt pas afro 4.5 miliardë vjetësh. Një përplasje e tillë në shkallë të madhe të miliona yjeve, ka të ngjarë të shkaktojë një përçarje të madhe në sistemin diellor. Po ashtu parashikohet gjithashtu pas rreth 5 miliardë vitesh Dielli të bymehet dhe të gllabërojë Tokën”– thekson Çerioti. /“Live Science”