Kreu i agjencisë së spiunazhit të Ukrainës, GRU, ka bërë një analizë mbi gjendjen pas rebelimit të shefit të Wagnerit, Yevgeny Prigozin.
Gjeneral-majori Kyrylo Budanov tha se është bërë një studim i brendshëm sekret i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Rusisë (MVD) ku është ekzaminuar situata për të përcaktuar nivelet e mbështetjes publike për kryengritjen.
Gjatë rebelimit, ai zbuloi se themeluesi i Wagnerit kishte mbështetje popullore në 17 nga 46 rajonet e Rusisë, krahasuar me 21 për presidentin rus, Vladimir Putin, ndërsa mbështetja për secilin prej tyre ishte e ngjashme në rajone të tjera.
“Kjo është ajo që ne shohim tani që shoqëria ruse është copëtuar në dy pjesë”, tha gjenerali Budanov në një prononcim për The Times.
“Situata po tregon pikërisht atë për të cilën ka folur shërbimi ynë: se Federata Ruse është në prag të luftës civile. Duhet të ketë një ‘çështje’ të vogël të brendshme dhe konflikti i brendshëm do të intensifikohet”, – shtoi ai.