Rreth dy javë më parë ministrja Manastirliu njoftoi se Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore.
Vendimi ngjalli reagime të shumta në rrjetet sociale, nga ekspertë por edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët nuk e kanë të qartë se çfarë po ndodh me këtë çështje, përsa kohë që çdo ditë shohim të arrestohen dhjetëra, qindra kultivues të kanabisit anembanë vendit.
Sigurisht që ne nuk jemi vendi i parë që merr një vendim të tillë pasi Maqedonia fqinje e ka legalizuar për qëllime mjekësore që në vitin 2016.
Megjithatë ne jemi vendi i parë që e legalizon në këto kushte, kur çdo ditë luftojmë krimin që ka marrë shumë pushtet me anë të fitimeve nga droga.
Forma me të cilën po vjen legalizimi i kanabisit në vend nuk paralajmëron asgjë të mirë. Edhe pse ligji tashmë është miratuar, ende nuk ka një plan të qartë sesi do të funksionojë e gjithë skema. Kush do të mundet ta kultivojë, si do të mund të nxirret licenca, sa duhet të jetë shuma që PPP do të paguajnë për këtë aktivitet ‘të jashtëligjshëm’, cilat farmaci do të munden ta shesin dhe cilat duhet të jenë kushtet. A do të duhet të merret me recetë mjeku dhe cilat lloje të sëmundjeve do të arrijnë ta marrin këtë dozë për t’u qetësuar apo edhe shëruar. Por si gjithmonë në Shqipëri, gjërat bëhen fakt i kryer dhe më pas kur shohim se nuk po funksionojnë, i ndërrojmë rregullat në mes të lojës. Ky ligj nuk mundet kurrsesi të merret si shaka sepse nëse nuk ka një plan të mirëfilltë dhe afatgjatë, dëmet në shoqëri dhe ekonomi do te jenë të panumërta.
E para sepse nuk kuptohet ende arsyeja e qartë pse po ndodh.
Sipas ekspertëve kultivimi i marijuanës për qëllime mjekësore nuk është burim i konsiderueshëm i të ardhurave buxhetore, pra sasia e kërkuar për këto nevoja nuk do të ndikojë në fushën ekonomike.
Për më tepër sipas një profesori amerikan të quajtur Jonathan Caulkins, në shtetet amerikane ku u legalizua marijuana medicinale, u vërejtën pasoja negative te shtresa më e varfër që merrej ilegalisht me kultivim. Kjo pasi do ta mbjellin sipërmarrës, korporata etj, dhe jo njerëz që janë në nevojë apo njerëz të papunë që mund ta kenë si zgjidhje.
Në rastin e Shqipërisë problemi është edhe më madhor, për sa kohë informaliteti është në çdo fushë. Jo vetëm kaq, por nëse çdo ditë policia djeg parcela të tëra me hashash, a nuk tingëllon disi absurde që shteti të bëhet rregullator i një aktiviteti të cilin e quan kriminal?
Përtej të gjitha këtyre, dëmi më i madh do të jetë ai social. Janë të shumtë të rinjtë që e konsumojnë kanabisin duke e siguruar në mënyrë të jashtëligjshme. Por nëse ata do të mund ta gjenin kudo dhe kurdo, kjo do të ishte edhe më shkatërruese, për sa kohë nuk ka politika edukuese që i informon ata për rrezikun.
Në një kohë kur Shqipëria kap titujt kryesorë të mediave ndërkombëtare si fole e kultivuesve dhe trafikantëve të kanabisit dhe si një nga pikat e furnizimit me drogë të Europës, legalizimi i marijuanës nuk duket shumë shpresëdhënëse si zgjidhje e problemit.
Megjithatë, ngelet për t’u parë nëse rrezikojmë të bëhemi një “Lazarat” i madh apo ministrat tanë e kanë analizuar më saktë situatën dhe kanë gjetur këtë zgjidhje si më të mirën.