Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur sot për dosjen e Sigurimit të Shtetit duke thënë se do të ngrejë padi ndaj Autoritetin e Dosjeve.
Ish-Presidenti tha se padia do të jetë pasi ky institucion ka bërë falsifikim “skandaloz”, duke paralajmëruar se beteja e tij do të jetë edhe në nivel ndërkombëtar.
Sipas Metës, padia e tij do të bëhet më datë 1 shtator, që të ketë kohë “të qepë letrat, ashtu siç duhet”.
“Kemi të bëjmë me proces të shëmtuar të manipulimit të dosjes, të një ish student që është përndjekur nga Sigurimi për tentativë arratisje. Emri i është publikuar në mënyrë kriminale nga Autoriteti i Dosjeve, që është përdorur politikisht. Është falsifikim skandaloz dhe kthim të metodave të ulëta për të goditur politikisht ata, të cilëve nuk iu del dot përballë në skenën politike. Nuk kam asnjë problem e asnjë shqetësim, unë në 1 shtator kallëzoj Autoritetin e Dosjeve, kjo është betejë që do bëhet edhe në nivel ndërkombëtar, për të treguar fytyrën e këtij regjimi, që zhytet përditë në zullum. Këto shpikje nuk na ndalin për të denoncuar aferën e inceneratorëve, janë edhe afera të tjera që do dalin në dritë në shtator e tutje, populli është ai që vendos. Qeveria duhet të kuptojë se koha e partisë-shtet ka mbaruar. Do të bëj një këllëzim të mirëorganizuar dhe të mirëprovuar, shkeljet janë të rënda dhe kanë nevojë që të sistemohen”, deklaroi Meta.