Nga Kreshnik Spahiu
Sot në mëngjes i telefonova një mikut tim, i cili jeton në Kudam, bulevardin kryesor të Berlinit Perëndimor. Isha i shqetësuar për ngjarjen e mbrëmshme në Uzinën e Gramshit me tre turistët rusë dhe një ukrainas.
Më duhej të konsultohesha me një ekspert të spiunazhit dhe informacionit, më shkoi mendja te miku im. Klaus S është një biznesmen i njohur në Berlin. Babai i tij ka qenë komandant i trupave speciale SS të ushtrisë naziste. Klausi është 68-vjeç dhe nuk e ka përjetuar luftën e Dytë Botërore, por ka shumë informacion nga babi i tij.
Unë shpesh kam interes të dëgjojë edhe palën e akuzuar, “sëmundje” e trashëguar nga profesioni i avokatisë ky, që gjithmonë e marr informacionin nga dy palët, dhe nuk mjaftohem vetëm me dosjen e Prokurorëve.
Klausi gjithmonë tregon versione të ndryshme dhe tepër të veçanta për luftën e Dytë Botërore. Pa u zgjatur, konsumova sot një mëngjes të gjatë me pikëpyetje për spiunazhin rus dhe ngjarjen e Gramshit.
Përgjigjja e Klausit ishte direkte dhe e thjeshtë:
“Adolf Hitleri përdorte 10% të turistëve gjermanë që udhëtonin në botë, për zbulimin e fabrikave të armëve në të gjithë shtetet që kishte planifikuar të sulmonte dhe më pas t’i pushtonte”.
Franca dhe Anglia përdornin kryesisht biznesmenët për spiunazh, të cilët financoheshin nga Parisi dhe Londra që të hapnin biznese jashtë. Gjatë bisedës i tregova edhe ngjarjen e 4 rusëve që u gjetën të vdekur në pishinat e Hoteleve në Qerret.
Klausi qeshi dhe më nxori statistikat e eliminimeve të shërbimit rus ndaj kundërshtarëve apo ekzekutorëve. Helmimi ishte mjeti numër një, në taktikat e vrasjeve dhe ekzekutimeve. 4 shtetasit rusë mund të jenë vrarë pasi kanë kryer misionin dhe shërbimin, me qëllim mbylljen e cilklit dhe dosjes.
Shqipëria ka qenë aleati kryesor i Rusisë gjatë viteve të para të Luftës së Ftohtë. Me dhjetëra oficerë, mjekë, ushtarakë, profesorë shqiptarë janë shkolluar dhe specializuar në Bashkimin Sovjetik. Shumica e tyre janë kthyer në Shqipëri me gra ruse të martuar. Rrënjët ruse në Shqipëri janë më të forta se në Europën Perëndimore.
Varfëria dhe skamja kanë bërë që dhjetëra apo qindra persona të rekrutohen me pagesë nga shërbimi inteligjent rus. TV kryesore ruse transmetonin LIVE në vitin 2019 çdo protestë të dhunshme që organizonte Partia Demokratike pasi dogji mandatet.
Shqetësimi amerikan dhe i ambasadores Yuri Kim çdo ditë po provohet se ishte i bazuar. Rusia kërkonte destabilizimin e Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Bosnjes, Malit të Zi dhe gjithë Ballkanit. Për ata “qorra” që nuk duan të shohin apo besojnë, po i kujtoj, që sot tre parti kryesore në Gjermani dhe dy ish-kryeministra dyshohen se janë financuar dhe korruptuar nga Rusia me miliona euro.
Pyetja shtrohet: Kur Rusia ka aq para sa korrupton një pjesë të “Berlinit”, a mendoni se këto kërmat e politikës në Tiranë kanë refuzuar thesin me para për t’i shërbyer Rusisë? Jo, s’ka asnjë shans që liderët politik shqiptar t’i kenë shpëtuar rekrutimit rus. Tre turistët rusë janë maja e ajzbergut të spiunazhit.
Turistët rusë në një përqindje të lartë, janë me mision në Ballkan dhe Europë. Çështja është: A ka Putin, të njëjtin plan si Hitleri që para sulmeve, kishte fotografuar çdo fabrikë armësh nga aparatet fotografikë të turistëve gjermanë? Përgjigjja është e vështirë, por ne kemi në dorë vetëm që:
– së pari t’i mbyllim kufijtë për turistët rusë
– së dyti të nxjerrim jashtë nga politika bashkëpunëtorët e shërbimit rus në Parlamentin shqiptar.