Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir meta, gjatë një takimi me strukturat e partisë që drejton në qytetin e Elbasanit, ka theksuar se Shqipëria ka probleme të mëdha. Sipas tij Elbasani është qyteti më i prekur nga varfëria dhe nga krimi në Shqipëri.
Sipas tij qytetarët e Elbasanit janë bërë shpesh dëshmitarë të ngjarjeve të rënda kriminale në qytetin e tyre, kjo për shkak të nxitjes që politika po i jep krimit. Ai tha gjithashtu se kohët e fundit policia është e specializuar vetëm për mbledhje gëzhojash, kjo për shkak se politika është e lidhur me krimin.
“Elbasani rezulton qarku më i varfër i Shqipërisë pas Kukësit. Ky është një problem i madh që tregon shumë për lënien pas dore të këtij qyteti dhe të këtij qarku, që tregon shumë për mungesën e madhe të mundësive për të rinjtë dhe të rejat dhe qytetarët e Elbasanit. Tregon se Elbasani është i braktisur. Elbasani renditet ne 398 mijë lek, duke qenë 33% nën mesataren e vendit. Një nivel shumë i ulët. Vetëm nga rritja e çmimet të karburantit bujqësia ka marrë një goditje të madhe financiare. Rritja e shpenzimeve të fermerëve për naftën ka sjell dëm dhe shkatërrim për ekonominë bujqësore. Për fat të keq ka patur hapa mbrapa në mbështetjen e bujqësisë në gjithë këto vite. Por ky nuk është i vetmi problem i Elbasanit, një qyteti i njohur për kulturën është kthyer në një qytet demonstrimi të forcës, dhunës dhe viktimave pa fund, dhe kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit, si një nxitës i grupeve të të fortëve dhe të nënshtrimit të shtetit, policisë para tyre. Qytetarët e Elbasanit kanë qenë shpesh dëshmitarë nga tronditjet e mëdha që i kanë ardhur qytetetit. Në 24 orë 3 atentate dhe katër viktima përfshirë këtu edhe qytetin tuaj, në 8 muaj dyzet e ca atentate. Specializimi i policisë kohët e fundit është mbledhja e gëzhojave, pasi policia është e mpirë për shkak të lidhjes së krimit me politikën. Këtu promovohen policët që nuk bëjnë detyrën”, tha Meta.
Meta deklaroi edhe njëherë se shtatori do të jetë muaji i ndryshimeve të mëdha. Sipas tij shtatori do të jetë një pranverë e vërtetë e demokracisë dhe se qeveria do të përballet me popullin.
“Shtatori do të jetë një pranverë e vërtetë e demokracisë dhe përmbysjes së këtij regjimi hajdutokrat, që të vetmen rrugë shikon shkatërrimin e popullit shqiptar, po trafikojnë të gjitha interesat e këtij vendi, për arsye se janë peng”, deklaroi Meta.