Ngjarja e tmerrshme ku autori Salman Ruzhdie u sulmua duke u goditur 15 herë me thikë ndërsa ishte duke folur në një seminar në New York, tronditi publikun.
Por ndryshe nga sa pasqyrohet në mediat perëndimore, ngjarja në Iran shihet në një këndvështrim tjetër. Media shtetërore ka përgëzuar autorin e ngjarjes duke u shprehur se dora e tij duhet puthur.
“Një mijë bravo për njeriun e guximshëm dhe të përgjegjshëm që sulmoi të ligun Salman Rushdie në Nju Jork. Dora e njeriut që theri qafën e armikut të Zotit duhet puthur”, ka shkruar Hossein Shariatmadari, kryeredaktor i gazetës së linjës së ashpër Kayhan.
Shariatmadari është emëruar drejtpërdrejt nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, llogaria e të cilit në Twitter u pezullua në vitin 2019 pasi ai postoi se dënimi me vdekje kundër Sir Salman ishte i pakthyeshëm.
Salman aktualisht nuk është në gjendje të flasë dhe është në një respirator në një spital të Nju Jorkut, ndërsa agjenti i tij ka konfirmuar se autori ka të ngjarë të humbasë një sy. Romani i Salman i vitit 1988, “Vargjet Satanike”, u perceptua si blasfemues nga komuniteti islamik.
Një vit më pas, ish-udhëheqësi fetar i Iranit Ayatollah Sayyid Ruhollah Musavi Khomeini shpalli një fetva kundër tij duke u bërë thirrje muslimanëve në mbarë botën që të vrisnin autorin me origjinë indiane.
Si rezultat, autori u detyrua të fshihej për vite të tëra dhe dënimi me vdekje nuk u hoq kurrë. Nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar deri më tani në Iran për sulmin ndaj Sir Salman.