Personi që shikoni në foton e mëposhtme është 34-vjeçari, Vuko Boriloviç, që vrau 10 persona në qytetin Cetinje të Malit të Zi pas një konflikti për qiranë me familjen që kishte marrë ambient me qira në shtëpinë e tij.
Autori ka qëlluar me armë zjarri drejt anëtarëve të një familje që kishin marrë ambient me qira në shtëpinë e tij. Por plumbat kapën edhe njerëz të tjerë në rrugë në afërsi të vendbanimit të tij në qytetin Cetinje.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00. Autori 34-vjeçar i sulmit u vra nga një fqinj, ndryshe nga siç ishte raportuar më parë se ishte ekzekutuar nga policia. Nuk dihet nëse është arrestuar fqinji që vrau autorin e sulmit.
Mes viktimave janë edhe 2 fëmijë të moshës 11 dhe 8 vjec, ndërsa nëna e tyre është plagosur. I lënduar mbeti edhe një polic që është dërguar me urgjencë për të marrë trajtim mjekësor në spital.
Sipas mediave malazeze, autori ka qenë i armatosur me armë gjahu teksa po ecte nëpër lagjen e qytetit Cetinje nga ku më pas ka filluar të qëllojë.
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili me anë të një mesazhi në rrjetin social Telegram ka shprehur keqardhjen dhe ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave.
Ndër të tjera bëri të ditur se qeveria e Malit të Zi do të shpallë tri ditë zie lidhur me ngjarjen e rëndë .
“Ka ndodhur një tragjedi që Mali i Zi nuk e mban mend. Ftoj të gjithë qytetarët e Malit të Zi që të luten për familjet e viktimave të pafajshme, të afërmit, miqtë e tyre dhe të gjithë qytetarët e kryeqytetit historik të Cetinjës”, shkruan Abazoviç.
Në vendngjarje shkuan Prokurori i lartë i shtetit, shërbimet e Emergjencës, Policia dhe Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit.