Juan Jesus e kërcënon me kallëzim penal
Vendimi për të mos ndëshkuar racizmin ndaj Françesko Açerbi ka ngjallur reagime të ashpra në Napoli. Tifozët e kampionëve në fuqi të Italisë nuk e kanë pritur siç duhet këtë verdikt të drejtësisë sportive, të cilët shpresonin tek një dënim i mbrojtësit pas ankesës për fyerje raciste në adresë të Huan Hesus. Ultrasit e Napolit shfaqen një pankartë polemizuese në pjesë të ndryshme të qytetit, në të cilën citohej fraza: “Emblema Açerbi e një sistemi hipokrit”.
Pafajësia e mbrojtësit të Interit kalon topin e fajit tek braziliani. Mbrojtësi ndihet i zhgënjyer dhe viktimë e një padrejtësie dhe nuk dëshiron që të shpallet gënjeshtar në këtë histori. Në këtë mënyrë, 32-vjeçari ka gati kallëzimin penal ndaj Açerbit, etapë në të cilën ka mbështetjen e skuadrës, tifozëve dhe familjes. Klubi i Napolit kërkon të dal edhe hapur në mbështetje të mbrojtësit. Në ndeshjen e radhës në stadiumin “Diego Maradona” kundër Atalantës, Napoli do të vesh një fanellë ku citohet mbështetja për 32-vjeçarin, teksa nuk përjashtohet mundësia për ta graduar kapiten.
Ajo që u vendos nga gjyqtari sportiv në lidhje me çështjen Açerbi-Huan Hesus mund të jetë ezauruar për sa i përket drejtësisë sportive. Vetëm numri një i Federatës italiane, Gabriele Gravina, mund të rihapë çështjen. Sipas nenit 102 të Kodit të Drejtësisë Sportive, “Presidenti federal mund të kundërshtojë vendimet e marra nga gjyqtari kombëtar sportiv kur ai i konsideron ato të papërshtatshme ose të paligjshme”.
Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të hedhur akoma dhe më shumë dritë në këtë histori.