Myrto Uzuni nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Silvinjo, për dy miqësoret ndaj Kilit dhe Suedisë.
Sulmuesi i Granadës ka pësuar një dëmtim dhe pavarësisht asistencës së stafit mjekësor, nuk ka mundur dot të rekuperohet.
Pas konsultimit, u vendos që ai të kthehej në Spanjë, për të vazhduar me riaftësimin.
Në 28 paraqitje në La Liga, 28-vjeçari ka shënuar 9 gola dhe ka dhënë 1 asist. Një shqetësim ka pasur edhe portieri Etrit Berisha, i cili nuk u stërvit me grupin.
Tekniku Silvinjo afroi portierin e U-21 Simon Simoni në seancën stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”.
Pas konsultimit me stafin mjekësor u vendos që portieri 35-vjeçar të lihet pushim për sfidën ndaj amerikano-latinëve për të shmangur të papritura. Por ai do të jetë i gatshëm për përballjen kundër skandinavëve.
Pjesa tjetër e lojtarëve u stërvit normalisht. Pas ushtrimeve në palestër, futbollistët punuan edhe nga ana taktike në fushë.
Kjo ishte seanca e fundit stërvitore e kuqezinjve në Tiranë, ndërsa në paraditen e së hënës do të udhëtojnë drejt Italisë.
Në dispozicion të Silvinjos janë 25 futbollistë për miqësoret ndaj Kilit me 22 Mars dhe ndaj Suedisë tre ditë më pas.