Ministri izraelit Benny Gantz ka paralajmëruar se do të nisin një ofensivë kundër qytetit Rafah nëse nuk lirohen pengjet izraelite që mbahen në Gaza. Izraeli ka lënë si afat kohor deri më datë 10 mars, datë e cila përkon me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Bota duhet ta dijë dhe udhëheqësit. Hamasi duhet ta dijë, nëse pengjet nuk janë në shtëpi deri në Ramazan, luftimet do të vazhdojnë kudo. Dhe atyre që thonë se çmimi është shumë i lartë, unë u them qartë: Hamasi ka një zgjedhje. Ata mund të dorëzohen dhe të lirojnë pengjet”, tha ai.
Gantz shtoi se Izraeli do të veprojë në “mënyrë të koordinuar, duke lehtësuar evakuimin e civilëve në dialog me partnerët tanë amerikanë dhe egjiptianë për të minimizuar viktimat civile”.
Synimet e Izraelit janë të zgjerohet deri në qytetin Rafah, ku janë strehuar mbi 1 milionë palestinezë që nga nisja e luftës. Gjithashtu kryeministri Netanyahu është shprehur se nuk mund ta asgjësojnë Hamasin përsa kohë pjesëtarët e tij strehohen në Rafah.