Zyrtarë të lartë të Perëndimit e kanë kritikuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump pasi ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të mos i mbrojnë aleatët e NATO-s që nuk janë duke ndarë mjaftueshëm para në mbrojtje nën sfondin e agresionit rus.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se çdo sulm ndaj aleancës ushtarake perëndimore do të përballej me një përgjigje të bashkuar dhe të fuqishme. Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz e cilësoi mbrojtjen e NATO-s një angazhim që duhet të përfshihen të gjithë aleatët.
“Minimi i besueshmërisë së vendeve aleate do të thotë dobësim i gjithë NATO-s,” shkroi ai në platformën e mediave sociale X.
Ish-Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel u shpreh se deklaratat e pamatura mbi sigurinë e NATO-s i shërbejnë vetëm interesit të Presidentit rus Vladimir Putin. Neni 5 i traktatit të NATO-s thotë se një sulm i armatosur kundër një anëtari të aleancës do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve, duke shkaktuar vetëmbrojtje kolektive.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates i pyetur në lidhje me komentet e Trump, u shpreh se këto deklarata ndaj aleatëve më të ngushtë nga regjimet vrasëse janë të tmerrshme dhe kjo rrezikon sigurinë kombëtare amerikane, stabilitetin global dhe ekonominë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron është shprehur se prioritet i parë i Amerikës është vetvetja. Ekspertet vlerësojnë se administrata e parë e Trumpit i ka testuar marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe aleatëve, sidomos në Evropë.
Trump nuk ka qenë shumë miqësor me liderët e disa vendeve mike, sikurse ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe ish-kryeministren britanike, Theresa May ndërsa ka mbajtur raporte të mira me liderët autoritarë, si presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe atë rus Vladimir Putin.
Trump vijon të jetë skeptik edhe në këtë fushate elektorale sa i përket organizatave politiko-ushtarake si NATO, për shkak të kontributit të madh financiar që shteti amerikan jep.