Armando Broja mbetet emri më i nxehtë në merkaton e dimrit. Sulmuesi shqiptar qëndron në udhëkryq për të zgjidhur të ardhmen, me Chelsea që është e gatshme për të marrë ofertat për 22-vjeçarin. Fulham është skuadra më e interesuar për shërbimet e Brojës, por shifrat e ofruara prej klubit londinez nuk kanë bindur ende “blutë”.
Marrëveshja mes palëve pritet të konkretizohet në shifrën e 50 milionë funteve, teksa një pistë mbetet edhe Wolves. “Ujqërit” kanë gati ofertën për huazimin e thjeshtë, por Chelsea synon që në klauzolën e kontratës të përfshihet blerja përfundimtare e kartonit.
Arsyeja pse Wolves nguron për Brojën është për shkak se nuk janë të sigurt nëse sulmuesi kuqezi do të arrijë të shfaq potencialin e vet. Pas një periudhe të gjatë jashtë fushave prej 10 muajsh shkaku i lëndimit në gju, Broja ka shënuar vetëm dy gola në 19 ndeshje këtë sezon.
Chelsea do të përpiqet të gjejë zëvendësuesin e Brojës, por mund të zgjedhin të presin deri gjatë verës për të parë opsionet në treg, teksa emra si Victor Osimhen dhe Ivan Toney thuhet se do të jenë në dispozicion.