I ftohti polar vijon të mbërthejë një pjesë të madhe të SHBA-së me temperatura nën zero. 9 persona kanë humbur jetën, disa prej tyre në aksidente dhe disa të tjerë nga hipotermia.
Më shumë se 150 milionë amerikanë vijojnë te jenë nën alarm nga i ftohti polar që ka përfshirë një pjesë të madhe të SHBA-së prej disa ditësh. Ndërkaq më shumë se 8 mijë fluturime vijojnë të jenë të anuluara për shkak të stuhisë së borës.
Zyrtarët e transportit u kanë bërë thirrje banorëve që të shmangin udhëtimet, pasi që rrugët janë bërë të rrezikshme për shkak të ngricave. Mësimi është anuluar në Portlend dhe në qytete të tjera të mëdha sikurse Çikago, Denver, Dallas dhe Fort Uorth.
Temperaturat ranë deri në -14C në Mbretërinë e Bashkuar ndërsa stuhia e borës ka përfshirë një pjesë të madhe të qyteteve.
I ftohti ka detyruar autoritetet të mbyllin shkollat në Skoci dhe pjesën veriore të Anglisë, ndërsa alarmi i kuq për ngrica është shpallur në disa qytete të mëdha. Parashikuesit thonë se mërkura do të regjistrojë temperaturën më të ftohtë të janarit në 14 vjet.