Juventus mban në presion kreun e Interit. Bardhezinjtë qëndrojnë në vetëm dy pikë distancat me skuadrën nga Milano, pas triumfit tepër të lehtë 3-0 përballë Sassuolës. Dushan Vlahovic ishte hero për ekipin e Massimiliano Allegrit, duke realizuar dy gola tepër të bukur.
Serbi realizoi jashtë zonës së 16-metërshit për tu bërë lojtari më i shpejt i Juventusit që shënon në këtë mënyrë që prej sezonit 2004-2005. Gjithçka e kompletuar në harkun e 37 minutave. Vlahovic është përfshirë në një gol në katër paraqitje radhazi në Serie A, tre gola dhe dy asistime për herë të parë që nga nëntori-dhjetor 2021.
“Nuk është çështje kënaqësie, gjithçka që ka rëndësi në futboll është fitorja e ndeshjeve. Pjesa tjetër është e parëndësishme. Skuadra po përmirësohet. Jemi të lumtur, por duhet të fokusohemi në ndeshjen e së dielës me Leçen. Ne kemi arritur një kuotë të mirë pikësh, por duhet të vazhdojmë, të vazhdojmë të punojmë dhe të vazhdojmë kështu”, u shpreh Allegri.
Llogaritë i mbylli Kieza, për të siguruar kështu fitoren e gjashtë në të gjitha garat, duke shënuar 18 gola dhe pësuar tre. Juventus qëndron në vendin e dytë në renditjen e kampionatit italian pas shpatullave të Interit, për të qenë kështu rivali numër një në garën për titull. Në radhët e Sassuolo nuk kishte minuta për mesfushorin e kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami.