Mijëra protestues janë mbledhur në Beograd për të protestuar ndaj rezultatit të zgjedhjeve serbe të 17 dhjetorit duke kërkuar anulimin e tyre. Grumbullimi masiv i njerëzve ndodhi disa ore pasi komisioni qendror i zgjedhjeve refuzoi kërkesën e opozitës për përsëritjen e tyre. Demonstruesit kanë ngritur çadrat në rrugët kryesore të kryeqytetit serb duke bllokuar trafikun e automjeteve.
Opozita serbe po kërkon anulimin e rezultateve të zgjedhjeve duke pretenduar se partia e Presidentit Vuçiç vodhi zgjedhjet. Ndër pretendimet e opozitës ishin akuzat se partia në pushtet solli serbët etnikë nga Bosnje-Hercegovina dhe ish-republika të tjera ish-jugosllave për të votuar në kryeqytet.
Vuçiç i ka mohuar akuzat e organizatave joqeveritare vendase, vëzhguesve të huaj dhe figurave të opozitës për parregullsi zgjedhore. Ai ka deklaruar se votimi u zhvillua në një atmosferë demokratike dhe ishin zgjedhjet më paqësore të mbajtura ndonjëherë në historinë moderne.