Drita jeshile për krijimin e Superligës Europiane ka shkaktuar tension në zyrat e UEFA-s. Organi qeverisës i futbollit Europian ka bërë një tjetër hap për të kundërshtuar këtë ide, teksa ka kërkuar që Gjykata Evropiane e Drejtësisë të ndryshojë deklaratën e saj për shtyp mbi vendimin e Superligës Evropiane.
Sipas saj, raporti është ndryshuar dhe përmirësuar për ta bërë vendimin të tingëllojë më i rëndësishëm. UEFA beson se vendimi i gjykatës nuk e vërteton Superligën dhe avokatët e saj i kanë shkruar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë duke kërkuar që njoftimi për shtyp të modifikohet, duke pretenduar se ai është “i pasaktë” dhe “kundërshton vendimin “
Deklarata e lëshuar nga Gjykata e Drejtësisë javën e kaluar titullohej:
“Rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s për miratimin paraprak të garave ndërmjet klubeve, si Superliga, janë në kundërshtim me ligjin e BE-së”, dhe shtoi se “FIFA dhe UEFA po abuzojnë me një pozitë dominuese”.
Kjo bëri që ata që qëndrojnë pas Superligës Evropiane, duke përfshirë Real Madridin dhe Barcelonën, të pretendojnë fitoren në sfidën e tyre ligjore, e cila u lançua pasi projekti jetëshkurtër u rrëzua në prill të 2021, kur gjashtë klube të Premier League pranuan parimisht pjesëmarrjen, përpara se të tërhiqeshin 48 orë më pas.