E ardhmja e Carlo Ancelotti-t ka qenë nën lupë për pjesën më të madhe të vitit 2023. Kontrata e tij me Real Madrid përfundon verën e ardhshme dhe deri më tani nuk ka pasur bisedime për një rinovim.
Në muajt e fundit është raportuar se italiani ka arritur një akord verbal me federatën braziliane të futbollit për të marrë drejtimin e kombëtares. Mbështetësi i tij më i madh ka qenë Presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit Ednaldo Rodrigues.
Por finalizimi i akordit mes të dyja palëve është në udhëkryq pas vendimit të fundit të gjykatës së Rio de Janeiro. Gjykata anuloi asamblenë e organizatës së mbledhur në 2022 ku Rodrigues u përzgjodh për të marrë drejtimin e federatës braziliane deri në 2026.
Gjykata vendosi që presidenti i Gjykatës Superiore i Drejtësisë sportive Jose Perdiz të marrë përkohësisht detyrën e kreut të institucionit të futbollit.
Por Rodrigez ka të drejtë që të apelojë vendimin. Megjithatë kjo situatë mund të ndikojë tek italiani, i cili mund të vendosë që të vazhdojë të qëndrojë te “Los Blancos”.
Lajmet për emërimin e tij si trajner i verdhejeshilëve hapën debat në shtetin e madh amerikano-latin dhe pa mbështetjen e presidentit të federatës, gjithçka bëhet më e komplikuar.