Rafael Nadal nuk ka ndërmend të tërhiqet nga bota e sportit. Pavarësisht dëmtimeve që e lanë jashtë në shumë turne, mes të cilëve ‘French Open’ dhe Wimbelldon. Spanjolli do të rikthehet në fushë për të marrë pjesë në Australian Open, turneu i parë i rëndësishëm në kalendarin e tenisit për vitin e ardhshëm.
“Pas një viti jashtë kompeticioneve, mendoj se është momenti i duhur për t’u rikthyer. Kam punuar shumë dhe jam ndjerë shumë më mirë gjatë dy javëve të fundit, kështu që ndihem gati të luaj. Do të kthehem në Brisbejn javën e parë të sezonit’’, u shpreh tenisti Rafael Nadal.
Ish-numri 1 i botës nuk ka luajtur asnjë ndeshje që prej dëmtimit në ije në raundin e dytë të Australian Open. 22 herë kampioni i Grand Slam fillimisht qëndroi jashtë fushave për 8 javë, teksa më pas iu nënshtrua operacionit në muskulin e kofshës.
37-vjeçari synon të rikthehet tek trofetë për të konkurruar për tituj me rivalë si Novak Xhokoviç dhe Carlos Alkaraz.