Ditën e sotme në Shkup të Maqedonisë së Veriut starton Samiti 2-ditor i Këshillit Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ky takim i OSBE ka ngjallur reagime të shumta pas pjesëmarrjes në të kryediplomatit rus, Sergei Lavrov.
Në takimin e OSBE-së do të marrin pjesë 76 delegacione nga 57 shtete anëtare dhe shtete partnere të organizatës. Pjesëmarrja e Lavrov ka sjellë si reagim bojkotin e këtij samiti nga shumë anëtarë të OSBE-së si Ukraina dhe të vendeve baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të vendeve baltike thanë se pjesëmarrja e planifikuar e Lavrovit “rrezikon ta legjitimojë Rusinë agresore si një anëtare të drejtë të komunitetit tonë të kombeve të lira”.
Sekretari i shtetit, Antony Blinken pritej që të merrte pjesë në këtë samit, por edhe ai e ka bojkotuar. Pas takimeve me krerët e Maqedonisë së Veriut, Blinken është larguar dje në mbrëmje nga Shkupi.
Ndërkaq, gjatë punimeve të Këshillit Ministror pritet të caktohet kryesuesi i radhës me OSBE-në për vitin 2024, për të cilin në mbledhjen përgatitore të ambasadorëve të 57 vendeve anëtare të kësaj jave në Vjenë, u arrit konsensusi që të jetë Malta.
Në ditën e parë të Këshillit pritet nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të digjitalizimit. Ndërsa, tema e dytë ka të bëjë me ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë e njerëzve në shtetet që janë pjesë e OSBE-së.
Veç kësaj, pjesëmarrësit e Këshillit do të vendosin edhe për buxhetin si dhe për emërimet në postet kyçe në institucionet e OSBE-së.