Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, akuzoi Francën se po krijon kushtet për një luftë të re në Kaukazin Jugor, duke furnizuar me armë Armeninë.
Muajin e kaluar, Franca arriti kontrata të reja për të furnizuar me pajisje ushtarake Armeninë.
“Franca destabilizon jo vetëm shtetet që ka pasur koloni në të kaluarën dhe që ka tani, por edhe rajonin tonë, Kaukazin Jugor, duke mbështetur tendencat separatiste dhe separatistët”, tha Aliyev gjatë një konference për shkolonizimin në Baku.
“Duke armatosur Armeninë, ajo zbaton politika ushtarake, inkurajon forcat revanshiste në Armeni dhe përgatit terrenin për nisjen e luftërave të reja në rajonin tonë”, shtoi presidenti azerbajxhanas.
Ende nuk ka ndonjë reagim nga Parisi për këto deklarata./REL