Departamenti amerikan i Shtetit thotë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës nënvizon urgjencën dhe rëndësinë e punës së Shteteve të Bashkuara “për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë aspiratat e tyre për integrimin evropian dhe anëtarësimin në institucionet euro-atlantike”.
Komenti u bë nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për ‘Zërin e Amerikës’, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy javën e kaluar “se ka informacione që Rusia mund të përpiqet të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor”.
“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerët tanë evropianë dhe komunitetin ndërkombëtar për të çuar përpara reformat në qeverisje, në sundimin e ligjit, ato zgjedhore dhe në luftën kundër korrupsionit, që do të pakësonin shanset për ndikimin keqdashës rus dhe do të sillnin paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe mirëqenie për rajonin”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Ai shtoi se sanksionet e shpallura nga Departamenti i Shtetit dhe i Thesarit javën e kaluar kishin për qëllim pikërisht këtë problem, kryqëzimin midis ndikimit keqdashës rus dhe korrupsionit.