Kombet e Bashkuara u detyruan të ndalonin dërgimin e ushqimeve dhe artikujve të tjerë të nevojshëm në Gazë të premten dhe paralajmëruan për rrezikun e përhapjes së urisë, ndërkohë që shërbimet e internetit dhe ato telefonike janë ndërprerë për shkak të mungesës së energjisë.
Ndërprerja prej dy ditësh e komunikimit, i izolon 2.3 milionë banorët e Gazës nga njëri-tjetri dhe nga bota e jashtme – dhe paralizon koordinimin e ndihmave, që edhe para kësaj ndërprerjeje ishte tepër e vështirë për shkak të mungesës së karburantit.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, nuk arriti të fuste në territor autokolonën e saj të ndihmave, tha zëdhënësja Juliette Touma. Është e paqartë se sa gjatë do të vazhdojë kjo gjendje, duke pasur parasysh se nuk ka gjasa që Izraeli të lejojë së shpejti hyrjen e sasive të tjera të karburantit.
“Një ndërprerje e zgjatur do të thotë një pezullim i zgjatur i operacioneve tona humanitare në Rripin e Gazës”, tha zonja Touma për Agjencinë Associated Press.