Finlanda do të mbyllë 4 nga 9 pikat e saj kufitare me Rusinë nga e premtja mbrëma deri të shtunën, duke akuzuar Moskën se i lejon migrantët e parregullt të kalojnë kufirin mes dy vendeve.
“Qeveria ka marrë vendimin për mbylljen e vendkalimeve kufitare Vaalima, Nuiyama, Imatra dhe Niirala në kufirin midis Finlandës dhe Rusisë”, tha Ministrja e Brendshme Marie Radtanen në një konferencë për shtyp.
Qeveria finlandeze kishte paralajmëruar të martën se po shqyrtonte mbylljen e kufirit me Rusinë, duke shprehur dyshime se Moska po përpiqej të destabilizonte vendin, i cili u bashkua me NATO-n në prill.
“Ne jemi të përgatitur për lloje të ndryshme veprimesh, për veprime dashakeqe nga ana e Rusisë, kështu që situata nuk është befasuese,” tha kryeministri finlandez Petri Orpo.
Finlanda ka parë javët e fundit një rritje në ardhjen e migrantëve të parregullt nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, veçanërisht nga Iraku, Somalia dhe Jemeni.
Kufiri i Finlandës me Rusinë shtrihet në 1340 kilometra. Kremlini u zotua në prill se do të marrë “kundërmasa” pasi Finlanda u bashkua me NATO-n, duke e quajtur zgjerimin e aleancës perëndimore një “sulm ndaj sigurisë së Rusisë”.