Kamomili është një nga bimët më të njohura në të gjithë botën për shekuj me radhë. Kjo jo pa arsye, pasi lulet e bardha të tij janë të pasura me vlera dhe aromë të mrekullueshme. Në përdorimin e gjerë është i njohur në formën e çajit për konsum të përditshëm, pasi dhuron qetësi dhe relaks për trupin.
Është prezent në çdo shtëpi dhe njihet si një nga mënyrat popullore më të famshme për të qetësuar dhimbjet apo inflamacionin. Krahas të gjitha këtyre vlerave që i dhuron organizmit kamomili mund të jetë shumë i dobishëm edhe për flokët tuaj.
Tek shëndeti i flokëve kjo bimë e vogël mund të bëjë mrekulli si në dukjen bukur të tyre ashtu edhe në rritjen e shëndetshme. Nëse doni të keni flokë të gjatë dhe plot shkëlqim ktheni sytë tek çaji i kamomilit që me siguri e keni në shtëpi. Do njiheni me disa përdorime të shpejta të kësaj bime të mahnitshme për shëndetin e flokëve tuaj.
Vlerat e kamomilit për flokët
Lufton zbokthin. Çaji i kamomilit ndihmon në zbutjen e skalpit të irrituar të kokës duke hequr edhe zbokthin e tepërt.
Rrit flokët
Elementët antiseptikë që gjendet tek kjo bimë largojnë qelizat e vdekura dhe papastërtitë që mund të ngecin në kokën tuaj. Në këtë mënyrë flokët tuaj do të kenë mundësi të rriten sërish të shëndetshëm dhe të shkëlqyeshëm.
Heq majat dyshe
Përdorimi i shpeshtë i kurave me kamomil do t’i bëjë flokët tuaj më të shkrifët dhe do të largojë majat dyshe.
Për flokë me shkëlqim
Kamomili i bën flokët tuaj të duken më të verdhë dhe të shkëlqyeshëm pa i dëmtuar ato.
Si t’a përdorni
Vendosni një tenxhere të vlojë në zjarr të lartë me 2-3 gota ujë për disa minuta. Më pas shtoni tek uji edhe 6 bustina çaji kamomil ose një tufë mesatare kamomili të freskët. Ujin mund t’a mbushni në varësi të gjatësisë së flokëve që doni të trajtoni, kini parasysh që për çdo gotë uji 250 ml të shtoni 2 bustina kamomil.
Lërini të ziejnë për të paktën 10-15 minuta dhe më pas hiqeni tenxheren nga zjarri.
Nëse keni përdorur kamomil të freskët kulloni ujin në një enë të pastër ose thjesht hiqni bustinat e çajit. Lëreni të ftohet për disa kohë dhe vazhdoni të lani flokët me shampo si zakonisht.
Në fund të dushit, kur flokët tuaj të jenë të pastër shpëlajini me çajin e kamomilit që përgatitët më parë. Sigurohuni që të jetë i ftohtë në mënyrë që të mos ju djegë lëkurën. Më pas thajini flokët si zakonisht, tashmë flokët tuaj do të jenë të shkrifët dhe plot shkëlqim. Këtë trajtim mund ta përdorni sa herë që të laheni ose minimum 2 herë në javë.