Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar takimet, teksa sot ka mbledhur ekspertë të energjitikës dhe hidrokarbureve, për të diskutuar çmimet e karburanteve dhe energjisë në vend. Berisha tha gjatë takimit se rritja e çmimit të energjisë është shkatërrimtare për bizneset.
Ai shtoi se qeveria ka blerë energji çdo dy ditë dhe nuk ka bërë asnjë tender, ndërsa tha se kryeministri terrorizon qytetarët, duke thënë se nëse ka mungesë energjie në treg, ajo do të ndërpritet.
“Nafta është bërë një ‘shpatë demokleu’ në qafën e shqiptarëve. Energjia po keqpërdoret, jo vetëm në një skemë të papërmbajtur vjedhjeje, nafta dhe energjia elektrike. Nuk ka logjikë në botë që të pranojë që në Shqipëri nafta të shitet me 3-fishin e çmimit të bursës, ndërkohë më përpara është shitur me dyfishin e çmimit. Sot ajo shitet 3 pikë sa herë më shumë. Nuk ka logjikë ekonomike që të pretendohet se, do të ndërpresim energjinë, në vitet më të lagëta të vendit, që 99.9% të energjisë elektrike e ka nga uji. Të vendit që ka prodhuar falë burimeve të reja, 9 terravat nga 7 që konsumon në total. Rritja e çmimit për bizneset, shkatërrimtare. Dalja në treg e sektorit energjetik shqiptar është kryekëput e bazuar në vjedhje. Shqiptarët duhet ta dinë se kjo qeveri, me dokumente, ka blerë energji me 250 euro megavatin, në një kohë kur në bursë shitej me 80-82 euro. Duhet ta dinë se blejnë energji me 520 euro, kur në bursë shitet me 410 euro. Blejnë energji çdo 2 ditë dhe nuk bëjnë një tender dhe një kryeministër që terrorizon qytetarët dhe u thotë se, por nuk u gjet energji në”, tha Berisha.
Berisha po ashtu denoncoi se në vend kontrabandohen 300 mijë ton naftë dhe këtë sipas tij e bën qeveria. Ai deklaroi se janë tre peshkarexha, ndërkohë pronari i njërës prej saj thuhet se bën takime të herë pas hershme me kryeministrin.
“Unë dje deklarova se së pari do të përgjysmojmë barrën fiskale të naftës, do të subvencionojmë 100% biletat e udhëtimit urban dhe interuban. Nuk po shpikim, e kanë bërë të tjerët. Ne jemi vendi që prodhojmë 1 mln ton naftë. Sot konsumi i naftës me 300 e ca mijë automjete më shumë sesa në 2012 është më i paktë sesa ishte në 2012. Në 2012 përveç 540 mijë tonë që importoheshin, ARMO prodhonte 150 mijë tonë D2. Pra konsumi ishte tek 700 mijë ton. Konsumi me këto automjete që janë sot duhet të jetë 800 mijë ton. Janë 300 mijë ton që kontrabandohen, si? Qeveria, nafta nuk është kokainë që të futet në arka bananes. Është i njohur zinxhiri, ka pronarë peshkarexhash, janë tre peshkarexha, që bëjnë vetëm kontrabandën e naftës dhe i shkarkojnë lirshëm dhe që thuhet se njeri prej tyre takohen periodikisht me kryeministrin. Nuk mund të ketë kontrabandë naftë pa një mbulesë të qeverisë. Nëse luftohet kjo kontrabandë në përgjysmojmë barrën fiskale”, tha Sali Berisha.