Studentët e Mjekësisë ishin të parët që nisën valën e protestave në vend. “Mjekët e rinj” kërkojnë që qeveria të tërhiqet nga ligji që mban peng diplomat e tyre ose në të kundërt i detyron të paguajnë një tarifë “të majme” shkollimi. E teksa të rinjtë kërkojnë nga qeveria kushte për të ndërtuar të ardhmen, pensionistët iu drejtuan qeverisë me një thirrje prekëse. “Mos luani me ditët e fundit të jetës”, iu drejtuan njëzëri nga Parlamenti qeverisë.
Pensionistët, janë ai brez që kontribuan që ekonomia e vendit tonë të zhvillohej dhe ne sot të jetonim një jetë të plotësuar, me kushtet e nevojshme. Por, ndryshe nga çfarë meritojnë, gjyshërit tanë sot ndjehem më pak të vlerësuar se ndonjëherë. Të ardhurat e tyre janë të pakta dhe pensioni nuk është i mjaftueshëm për të shlyer të gjitha detyrimet, duke filluar nga taksat, tek ushqimet, apo nevoja për ilaçe.
Dukshëm, shqetësimi i tyre është të jetojnë të lirë dhe të pakufizuar në të ardhura ditët e fundit të jetës. Njëzëri ata kërkuan rritje pensioni dhe jo një bonus qesharak çdo Vit të Ri që fundja, nuk u del as për të blerë gjelin e detit.
50 mijë lekë bonus nuk mjaftojnë për të shlyer dritat dhe ujin, taksat e qeverisë, e jo më të mendosh se me aq lekë që marrin nga pensioni, do të sigurojnë edhe nevojat e tjera. Është therëse të shohësh se si ai brez që dha një kontribut disavjeçar duke ndërtuar uzina, fabrika, të cilat pavarësisht se vitet e mbrapshta të 97’ i prishën, krijuan një bazë ekonomie për vendin.
E sot është pikërisht ky brez që nënvlerësohet më shumë, duke u tallur në fundvit me një bonus që a thua pensionistët e presin me krahë hapur, kur në fakt është më minimalist se minimalja.
Sot, të moshuarit pjesën më të madhe të të ardhurave e sigurojnë nga remitancat ose paratë e dërguara nga fëmijët që janë emigrantë jashtë vendit. Por, ka nga ata fëmijë që nuk kanë mundësi të ndihmojnë prindërit. Po, çfarë të bëjmë t’u japim nga 50 mijë lekë bonus dhe të mjaftohen për një vit?
Thirrja e tyre ishte më kumbuese se sa zotimi dhe krenaria me të cilën shpërndahen ato bonuse. Pra, pensionistët pohuan njëzëri se janë lënë në harresë nga shteti, për të cilin kontribuan.
Sado të paktë në numër, ajo protestë tregoi se sa pak vlerësim kemi ne për brezin që i hapi rrugës së ardhmes sonë dhe na la stafetën për të vazhduar punën që zhvillimi i vendit të ecë më tej. Në këto kushte, gjyshërit tanë janë nënvlerësuar duke u fokusuar më shumë tek administrata, policët, mësuesit, mjekët, me gjithë respektin për punën e tyre të palodhur.
Por, të kthesh kokën mbrapa është edhe një shenjë respekti për këtë brez që kërkon shpërblimin e mundit dhe djersës disa-vjeçare.
Është koha që pensionistët të stimulohen për të siguruar jetesën e tyre dhe ato “ditë të fundit” për të cilat protestuan, t’i jetojnë të qetë se vendi i tyre ua njohu vlerat dhe kontributet që kanë lënë.