Kombëtarja shqiptare e vajzave do të rikthehet sërish në fushë në muajin tetor. Kuqezinjtë luajnë dy ndeshje ndaj Irlandës, të vlefshme për Ligën e Kombeve për këtë kategori. Përballje tepër të forta për kombëtaren tonë, me trajnerin e vajzave kuqezi, Armir Grima që ka shpallur edhe listën e futbollisteve që do të ketë në dispozicion për këto dy takime.
Trajneri Grima ka thirrur 20 lojtare për këto dy ndeshje, teksa në ndryshim nga grumbullimi i fundit, ka ftuar që në fillim dy futbollistet Qëndresa Krasniqi dhe Endrina Elezaj. Ndërkaq, pjesa tjetër e futbollisteve të grumbulluara janë konfirmuar nga trajneri Grima.
Shqipëria do të nisë zyrtarisht në “Shtëpinë e Futbollit”, ku do të zhvillojnë edhe seancat përgatitore. Më 27 tetor, Kombëtarja e vajzave do të luajë ndeshjen e parë në transfertën irlandeze, duke nisur nga ora 18:45. Ndërkohë me 31 tetor, vajzat kuqezi do të presin Irlandën në stadiumin ‘Loro Boriçi’, me ndeshjen që është planifikuar të nisë në ora 18:00.
Shqipëria barazoi me rezultatin 1-1 ndeshjen e parë me Hungarinë në stadiumin ‘Loro Boriçi’, ndërsa u mund nga Irlanda e Veriut me rezultatin minimal 1-0 në transfertë. Kuqezinjtë gjenden në vendin e fundit të grupit me 1 pikë dhe rrezikon të zbres në Divizionin C.