Një tërmet tjetër ka goditur Afganistanin perëndimor, disa ditë pasi dy lëkundje të mëdha në rajon vranë më shumë se 1000 njerëz. Deri më tani nuk ka raportime për viktima. Epiqendra e tërmetit të fundit ishte 30 km në veri-perëndim të Heratit, qyteti i tretë më i madh i Afganistanit afër kufirit iranian.
Agjencia e OKB-së për fëmijë UNICEF ka bërë të ditur se më shumë se 90% e atyre që humbën jetën në tërmetet e mëparshme ishin gra dhe fëmijë. Afganistani është përfshirë nga një krizë ekonomike që nga marrja e pushtetit nga talebanët në vitin 2021.
Vendi goditet shpesh nga tërmete, ku në qershor të vitit të kaluar një tërmet me magnitudë 5.9 vrau më shumë se 1000 njerëz dhe la dhjetëra mijëra të pastrehë.