Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Ausitin, u takua me kryeministrin izraelit, Banjamin Netanyahu, dhe zyrtarë të lartë qeveritarë më 13 tetor për të riafirmuar mbështetjen amerikane dhe për të parë nga afër armët dhe asistencën e sigurisë që Uashingtoni me shpejtësi ia dërgoi Izraelit, në javën e parë të luftës së Izraelit me grupin militant palestinez, Hamas.
Austin është zyrtari i dytë më i lartë amerikanë që ka vizituar Izraelin në dy ditët e fundit. Një ditë më herët në Izrael qëndroi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili po vazhdon vizitat e tij në rajon.
Të premten, ushtria izraelite u bëri thirrja qindra mijëra banorëve të Qytetit të Gazës të evakuohen “për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre”, teksa është rritur frika se Izraeli do të kryejë sulm tokësor. Militantët e Hamasit, që udhëheqin Gazën, u përgjigjën duke iu bërë thirrje palestinezëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
I pyetur për gjasat që të ketë viktima në mesin e civilëve në Gazë, Austin tha se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe shtoi se ai ka punuar për vite të tëra me forcat izraelite, kur kishte shërbyer në ushtri.
“Ata janë profesionistë, janë të disiplinuar dhe janë të përqendruar në gjërat e duhura”, tha ai për gazetarët pas takimit me ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe kabinetin e luftës të Izraelit.
Gallant nuk iu përgjigj pyetjes nëse forcat e tij do t’iu japin vetëm 24 orë kohë civilëve në Gazë që të largohen. Por, ai tha se ata që duan të shpëtojnë jetën e tyre “duhet të shkojnë në jug”.
“Izraeli kurrë nuk do të shtie me qëllim drejt civilëve. Kurrë”, tha Gallant. Ai shtoi se militantët e Hamasit do ta kamuflojnë veten në mesin e popullatës dhe Izraeli duhet t’i ndajë ata nga civilët.
Para kësaj konference për media, Austin u takua me Netanyahun të cilin e sigurojë se “siç ka thënë edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden ju keni mbështetjen tonë. Ne qëndrojmë me ju”./ REL