Për presidentin e FSHF, Armand Duka dita e sotme është një nga më të rëndësishmet për Kombëtaren dhe për të gjithë shqiptarët. Ai mendon se në lojë janë të tria rezultatet dhe se skuadra që do të ndjejë më pak presionin dhe që do të menaxhojë më mirë emocionet, do të marrë një rezultat pozitiv.
Në një mesazh në profilin e tij në Facebook, Duka tha se ka besim se ekipi e ka kualitetin për ta fituar këtë ndeshje.
“Për ne nuk është një ndeshje vendimtare, një sfidë ‘jetë a vdekje’. Presioni është mbi ta. Ne duhet vetëm që të menaxhojmë sa më mirë. Dhe jam i sigurt që me mbështetjen e tifozëve tanë mund t’ia dalim. Sonte duhet të festojmë të gjithë së bashku.”
Kreu i institucionit të futbollit ka edhe një mesazh për tifozët kuqezi.
‘Të respektojmë sa më shumë ata tifozë që vijnë sonte nga Çekia. Në Pragë u pritëm të gjithë shumë ngrohtë nga populli çek. Të jemi sa më miqësorë me ta sepse fundja ditës, ne shqiptarët njihemi për mikpritjen’
Shqipëria kryeson grupin E me 10 pikë pas 5 takimesh, ndërsa Çekia gjendet një pozicion më poshtë, në kuotën e 8 pikëve, me 1 ndeshje më pak.