Romelu Lukaku ka bindur Romën në vetëm tetë ndeshje të luajtura në Serie A. Sulmuesi belg ka realizuar shtatë gola nga nisja e sezonit dhe drejtuesit po mendojnë që të paguajnë shumën prej 42 milionë eurosh për ta blerë atë përfundimisht në verën e ardhshme.
Edhe trajneri Jose Mourinho është i kënaqur me punën e bërë nga belgu dhe e kërkon atë në ekip edhe në sezonet në vazhdim. Chelsea vendosi një klauzolë prej 42 milionë eurosh në kontratën e lojtarit gjatë negociatave me verdhekuqtë për shitjen e mundshme.
Roma pagoi 6 milionë euro për huazimin 1 vjeçar të futbollistit. Nëse klubi italian vendos që ta paguajë shifrën, atëherë blutë e Londrës nuk do të bëjnë kundërshti.
Klubi anglez synonte që ta shiste Lukakun që në merkaton e verës, por futbollisti refuzoi një ofertë të lartë nga sauditët e Al Hilal, sabotoi akordin me zikaltrit ndërsa po negocionte për të kaluar te Juventusi e në fund zgjodhi verdhekuqtë.
Interi kishte ofruar 26 dhe 30 milionë euro te Chelsea, përpara se të tërhiqej nga bisedimet, pasi zbuloi se Lukaku kishte biseduar edhe me “Zonjën e Vjetër” për në transferim në Torino.