Për herë të gjashtë në histori, skuderia Red Bull është kampione për konstruktorë në Formula 1. Austriakët arritën që të festonin titullin në Çmimin e Madh të Japonisë, falë edhe fitores së Max Vershtappen. Holandezi ishte i jashtëzakonshëm në Suzuka duke prerë finishin për herë të 13-të në këtë edicion.
Fitore që e afron akoma dhe më shumë me titullin e tretë kampion Bote, objektiv që mund ta arrijë që në garën e ardhshme në Katar. Pas krahëve të 25-vjeçarit mbërritën dy makinat McLaren, Lando Norris në të dytin dhe Piastri në të tretin, për t’u ngjitur kështu në podiumin e garës së Japonisë, e 16-ta në kalendarin e Formula 1.
Zhgënjyen dy pilotët e Ferrari, me Leklerk i katërti dhe Sainz i gjashti, teksa mes tyre u pozicionua Hamilton. 10 vendet e para u plotësuan nga Rasëll, Alonso, Okon dhe Gasli. Verstappen udhëheq renditjen e pilotëve me 400 pikë, ndjekur nga shoku i skuadrës, Perez me 223, dhe Hamilton me 190.