Everton ka njoftuar se firma amerikane e investimeve ‘777 Partners’ ka rënë dakord për të blerë 94.1 për qind të aksioneve të klubit nga Farhad Moshiri. Bisedimet mes palëve kishin vazhduar gjatë gjithë javës dhe biznesmeni iranian pranoi që ta shesë klubin anglez për shumën e 685 milionë dollarëve.
Në komunikatën e bërë nga Everton thuhet se shitja ‘forcon bilancet e klubit’ dhe garanton financimin e plotë për stadiumin e ri në “Bramley Moore Dock”.
‘777 Partners’ ka një numër klubesh në portofolin e saj, duke përfshirë skuadrën italiane të Genoa-s dhe belgët e Standard Liege. Gjithashtu firma amerikane e investimeve ka aksione në klubin e La Liga Sevilla dhe skuadrën Australiane të A-League Melbourne Victory.
Por pavarësisht investimit të afro 800 milionë dollarëve që nga ardhja e biznesmenit iranian, Everton nuk bën më pjesë në dhjetë ekipet më të forta të Premier Ligës e në sezonet e fundit ka luftuar që të mbijetojë në elitën e futbollit anglez.
Në pesë vitet e fundit, “Tofees” kanë pësuar humbje me vlerë në total 450 milionë dollarë. Aktualisht skuadra është në vend të 18-të në renditje në këtë sezon dhe nuk ka arritur asnjë fitore në 4 sfida të luajtura.