Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Libi vetëm në një qytet është më shumë se 3000. Pjesa më e madhe e Dernës, e cila ka rreth 100,000 banorë, është nën ujë pasi u shembën dy diga dhe katër ura.
“Numri i personave të zhdukur është në mijëra dhe numri i të vdekurve pritet të arrijë në 10,000”, tha ministri i Shëndetësisë, Othman Abdel Jalil.
Më shumë se 700 trupa në Derna janë grumbulluar në varreza në pritje për t’u identifikuar, dhe zyrtarët lokalë të shëndetësisë thanë se rreth 5,000 njerëz ishin të zhdukur.
“Situata në qytetin e Dernës po bëhet më tragjike dhe nuk ka statistika përfundimtare për numrin e viktimave,” tha Jalil.
Qytetarët e dëshpëruar po bënin apel në rrjetet sociale për informacion për të afërmit e zhdukur. Shumë ishin të zemëruar me ritmin e ngadaltë të përpjekjeve të ndihmës dhe hetimet po fillonin rreth paralajmërimeve të dhëna më parë se digat e Wadi të qytetit kishin nevojë për rindërtim.