Numri i të vdekurve nga stuhitë e forta të shiut që goditën disa pjesë të Greqisë, Turqisë dhe Bullgarisë u rrit në 14 të mërkurën pasi ekipet e shpëtimit në tre vendet fqinje gjetën shtatë trupa të pajetë.
Një kamping u përmbyt në Turqinë veriperëndimore pranë kufirit me Bullgarinë duke shkaktuar pesë viktima. Ekipet e shpëtimit ishin ende në kërkim të një personi të raportuar të zhdukur në kamping. Dy persona të tjerë vdiqën në Stamboll, ku stuhitë e së martës përmbytën qindra shtëpi dhe vende pune në disa lagje.
Në Greqi, reshjet shkaktuan të paktën tre viktima pranë qytetit qendror të Volos dhe në Karditsa. Tre persona u raportuan të zhdukur. Autoritetet ndaluan trafikun në Volos, rajonin e afërt malor të Pilion dhe ishullin turistik të Skiathos, ku shumë familje mbetën pa energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm .
Në Bullgari, një stuhi shkaktoi përmbytje në bregun jugor të Detit të Zi të vendit. Trupat e dy personave të zhdukur u nxorën nga deti të mërkurën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në katër.