Bayern Munich ka nënshkruar me Harry Kane nga Tottenham Hotspur. Sulmuesi 30-vjeçar i Anglisë ka rënë dakord me kampionët gjermanë deri më 30 qershor 2027 dhe do të veshë fanellën me numrin 9 për klubin e Mynihut.
Presidenti i FC Bayern, Herbert Hainer i uroi mirëseardhjen Kane-s. “Mirë se erdhe në Mynih, Harry Kane! Jemi shumë të lumtur për këtë ardhje të re me cilësi të lartë. Transferimi kërkonte këmbëngulje. Komplimentet e mia për të gjithë ata që u përfshinë në këto negociata në FC Bayern,” tha Hainer.
Kane është shprehur i lumtur që iu bashkua klubit gjerman teksa tha se Bayern-i do ta ndihmojë të tregojë nivelin më të lartë.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e FC Bayern tani. Bayern është një nga klubet më të mëdha në botë, dhe gjithmonë kam thënë se dua të konkurroj dhe të tregoj veten në nivelin më të lartë gjatë karrierës sime. Ky klub përcaktohet nga mentaliteti i tij fitues – ndihet shumë mirë që jam këtu”, tha Kane.