Pas gati një muaji negociata, Leçe ka arritur akordin me Aberdenin për transferimin e mesfushorit të kombëtares shqiptare Ylber Ramadani. Një tjetër lojtar kuqezi do të luajë në Serie A në sezonin 2023-2024.
Futbollisti 27-vjeçar kishte arritur akordin me puljezët, por klubi skocez kishte refuzuar ofertën e bërë nga italianët prej 1 milion eurosh. Leçe e rriti shifrën në 1.2 milionë euro, shto këtu edhe 10% të vlerës në rishitjen e radhës, e kjo u pranua nga drejtuesit e Aberdenit.
Ramadani do të firmosë kontratën e re, pasi të kalojë vizitat mjekësore. Interesi, për mefushorin kuqezi kishte edhe Hellas Verona. Paraqitja e mirë e bërë nga lojtari i përfaqësueses në sezonin e fundit e ka kthyer atë në një element të rëndësishëm të skuadrës skoceze, e ka ngjallur interesimin e dy klubeve italiane.
Aberden është në pritje të një ofertë nga klubi veronez, nisur nga interesimi për Ramadanin. 27-vjeçari luajti 44 takime me ekipin skocez në vitin e shkuar futbollistik, ndërsa ka edhe dy vite kontratë.