Chelsea nuk e ka më në planet e tij Romelu Lukakun, Interi nuk dëshiron më të dijë për të, ndërsa Juventusi është duke kryer operacionet e veta dhe i duhet kohë. Me pak fjalë, sulmuesi belg për momentin nuk e di se ku dhe me cilën fanellë do të luajë.
30-vjeçari për momentin është duke u stërvitur vetëm. Dhe në këtë periudhë, kjo sigurisht nuk është një gjë e mirë. Ndoshta, për momentin, të vetmit që e duan me të vërtetë janë arabët e Al Hilal, të cilët i ofruan edhe një kontratë monstruoze një muaj më parë.
Por belgu nuk bindet për të vazhduar karrierën e tij në Ligën Profesioniste Saudite, nga ku kanë nisur që të shkojnë emra të njohur të futbollit europian. Te Juvja është trajneri Masimiliano Alegri që këmbëngul për ta pasur, pasi e konsideron belgun si lojtarin ideal për filozofinë e tij të futbollit.
Por drejtuesit bardhezi janë më të kujdesshëm, pasi duhet që të zgjidhin në fillim të ardhmen e Vlahoviç, e po ashtu ardhja e ish-lojtarit zikaltër nuk shikohet me së të mirë nga tifozët. Për më tepër që 30-vjeçari është i kushtueshëm. “Zonja e Vjetër” i ka ofruar 12 milionë euro në sezon, e kjo është sakrificë financiare.
Por për momentin Lukaku duhet që të presë e të vazhdojë të punojë i vetëm, pasi momentalisht e ardhmja e tij është e paqartë.