Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se shteti i tij ka mjaftueshëm municione thërrmuese për t’iu përgjigjur Ukrainës, në rast se ajo përdor armë të njëjta.
Ukraina ka nisur të pranojë armë thërrmuese nga Shtetet e Bashkuara, veprim që ka rritur shqetësimet, për shkak të rrezikut afatgjatë që përbëjnë këto armë për civilët, në rast se nuk shpërthejnë menjëherë.
“Rusia ka lloje të ndryshme të municioneve thërrmuese”, ka thënë Putin në një intervistë për televizionin shtetëror rus.
Këto armë kontroverse mund të përhapin qindra copëza të vogla shpërthyese, të cilat mund të mbesin të pashpërthyera më pas në tokë.
“Nëse ato përdoren kundër nesh, ne e përdorim të drejtën për hakmarrje”, ka thënë Putin.
Ai ka shtuar se Rusia ende nuk i ka përdorur armët, pavarësisht “mungesës së disa municioneve tani për tani”.
Organizata për të drejta të njeriut, Human Rights Watch dhe forcat ukrainase, e kanë akuzuar Rusinë se veçse ka përdorur muncione thërrmuese në fushëbetejë.
Këto armë janë të ndaluara në disa shtete – pjesën më të madhe të Evropës – të cilat e kanë shkruar Konventën e Oslos më 2008.
Megjithatë, atë nuk e kanë nënshkruar as Shtetet e Bashkuara, as Rusia, dhe as Ukraina.
Grupet humanitare e kanë dënuar ashpër vendimin e SHBA-së për ta furnizuar Ukrainën me municione thërrmuese.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se vendimi ka qenë “shumë i vështirë”, mirëpo ka theksuar se Ukrainës i duhen muncione shtesë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./ REL