Temperaturat e larta të regjistruara ditën e sotme janë bërë shkak që Greqia të mbyllë një nga atraksionet më të rëndësishme të saj, Akropolin antik. Qëllimi i mbylljes është mbrojtja e turistëve, në një kohë kur jugu i Evropës është goditur nga një valë e të nxehtit. Agjencia Hapësinore Evropiane (ESA), ka paralajmëruar se vendet si Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia po përballen me kushte ekstreme të të nxehtit.
Ditën e sotme, temperaturat në Athinë arritën mbi 40 gradë Celsius dhe autoritetet mbyllën për turistët Kodrën e Akropolit ku gjendet tempulli Partenon, që vizitohet nga miliona njerëz çdo vit.
Ministria e Mbrojtjes Civile në Greqi ka paralajmëruar se i nxehti ekstrem mund të bëhet shkak edhe për zjarre në pesë zona përreth.