Studimet e fundit që lidhen me shëndetin e vajzave dhe grave kanë treguar se ato që kanë kaluar 10 ose më shumë vite në parukeri apo sallone bukurie, kanë tri herë më shumë gjasa të preken nga kanceri i vezoreve.
Ato që i përkasin fushës së kontabilitetit kanë rrezik të dyfishtë në raport me pjesën tjetër të grave.
Sipas një raporti të publikuar në mediat e huaja, kjo është lista e punëve që rrisin rrezikun për t’u prekur nga kanceri i vezoreve: parukiere, estetiste, kontabiliste, punëtore ndërtimi dhe shitëse.
“Gratë dhe vajzat që punojnë në profesionin e parukerisë janë të ekspozuara ndaj qindra kimikateve në përqendrime të larta, duke përfshirë ngjyrat e flokëve, shampo, kondicionerë dhe produkte stilimi dhe kozmetike”, – është shprehur dr. Anita Koushik, nga Universiteti i Montrealit në Kanada.
Studimi përdori të dhëna nga 491 gra të diagnostikuara me kancer ovarian në Montreal, Kanada, gjatë periudhës 2010-2016, të cilat u krahasuan me 897 gra që nuk kishin kancer dhe shqyrtuan punën e tyre, historinë mjekësore familjare dhe shëndetin e përgjithshëm.
Kishte 18 substanca kimike me shqetësimin më të madh, shumë prej të cilave tashmë janë hetuar për kancerin nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit. Mes tyre përfshiheshin amoniaku, peroksidi i hidrogjenit, fibra poliester, formaldehid dhe benzinë.
Kimikatet mund të shkaktojnë kancer duke u bashkuar ose duke reaguar me ADN-në.