Në realitetin ku jetojmë janë të paktë të rinjtë (ose nuk ekzistojnë) që nuk kanë një llogari në rrjetin më të përdorur për publikimin e fotografive, si Instagram.
Kur ky aplikacion u lançua fillimisht në 2010 u pëlqye shumë sepse njerëzit po postonin foto nga përditshmëria e tyre me përshkrime të shkurtra, ç’ka shihej si më rinore dhe trendi, ndryshe nga Facebook, ku kishin filluar të hapnin llogari të gjithë njerëzit e rritur, madje edhe ata që ishin gjyshër.
Në atë kohë të vetmit që e kishin privilegjin për të publikuar foto të kuruara në detaje, ishin ata/ato që e quanin veten influencer/e dhe kishin mundësi të bënin foto profesionale me fotograf.
Por me kalimin e viteve gjërat ndryshuan. U krijuan shumë aplikacione që të mundësonin filtra, përmirësim të imazhit, zvogëlim të hundës, pastrim të fytyrës, hollim të belit etj.
Dhe me sa duket përdorimit të tyre që ndjekësit i referohen shkurt “ka përdorur photoshop”, nuk i kanë shpëtuar shpesh as VIP-at. Madje edhe të famshëm të mëdhenj të Hollywood janë “kapur” shpesh me ndonjë shtrembërim të mobiljeve, apo atyre që ndodhen në sfond, duke treguar se thuajse të gjithë po preferojnë të hedhin foto ku duken perfektë.
Në një kohë kur është normale të duash të publikosh foton ku ke dalë më bukur, mes disa të tjerave, të krijosh imazhin e dikujt që nuk ekziston bëhet një problem.
Ajo që postojnë influencuesit zakonisht nuk është realiteti, pasi në krahasim me jetën reale, këta njerëz nuk duken perfektë. Ata janë njerëz dhe njerëzit kanë të meta. Redaktimi i këtyre të metave nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe, por kur i jepet një audience me ndikim, mund të bëhet e dëmshme.
Kur të rinjtë vizitojnë profilet e tyre të dashura në Instagram dhe shohin njerëz në dukje të përsosur, me trupa dhe jetë perfekte, ata fillojnë t’i kenë zili. Ata duan të jenë perfektë, për t’u ndier mirë me veten, për t’u ndier më të pranuar në shoqëri.
Pra, ata fillojnë t’i imitojnë ata. Kjo ndjekje është e rrezikshme, pasi ka potencialin të çojë në çrregullime të të ngrënit dhe çështje të tjera të shëndetit mendor. Ka plot studime që tregojnë se sa më shumë selfie dhe foto me filtra, aq më shumë çrregullime në të ngrënë dhe pakënaqësi trupore përjetojnë të rinjtë.
Kur ekzposohesh me një rrymë të pafund imazhesh të filtruara në mënyrë perfekte, është e lehtë të pranosh idenë se të gjithë të tjerët me të vërtetë po jetojnë jetën perfekte, përveç teje.
Krahasimi i vetes me realitetin e rremë ose me pikat kryesore të zgjedhura me kujdes të të tjerëve mund të çojë në vetëbesim të ulët dhe ndjenja të pamjaftueshmërisë. Pavarësisht se sa sukses arrini, askush nuk mund të përputhet me stilin e jetës së Instagram-it të përsosur. Në momentin që të rinjtë krahasojnë veten dhe jetën e tyre me të tjerët dhe shohin që jeta e tyre është shumë larg perfektes, i nxit ata të gjejnë mënyra jo moralisht dhe joligjërisht të drejta për të gjetur sa më shumë para.
Kjo ndihet edhe më shumë në një realitet si ky yni në Shqipëri, ku hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është shumë i madh. Çantat e luksit, makinat e viteve të fundit, pushimet në vende shumë të kushtueshme, janë një realitet që një i ri shqiptar e ka disi të pamundur për ta siguruar, për shkak të të ardhurave. Te ne promovimi në punë apo arritjet profesionale janë shumë më të vështira për t’u arritur në moshë të re dhe koha ndërkohë ikën.
Në kulmin e këtyre përjetimeve, kur problemet mendore, depresioni dhe ankthi janë rritur kaq shumë tek të rinjtë, nuk ekzistojnë politika sociale që t’ju vijnë atyre në ndihmë.
Do të ishte e domosdoshme që disa influencers që “ndryshojnë” nga të tjerët të ndikojnë për të bindur të rinjtë rreth të vërtetës. Kjo ka filluar disi të bëhet me lëvizjen që njihet si “Instagram vs reality”.
Por duhet që shoqatat për të rinjtë apo autoritetet të bëjnë promovime rreth një jete ku lexohet, informohet, ku inteligjenca është ajo që tërheq dhe jo luksi e paratë. Për të vendosur theksin kështu në dëshirën e të rinjve për të mos jetuar një realitet që nuk u përket atyre, por një realitet ku lumturia mund të gjendet edhe në aktivitete të tjera më produktive dhe pozitive, në të mirë të individit dhe shoqërisë.