E ardhmja e David De Gea mbetet ende në dyshim. Me spanjollin që tashmë ka konfirmuar divorcin pas 12 vitesh me Manchester United, 32-vjeçari mbetet në kërkim të një ekipi të ri. Arabia Saudite qëndron si pistë konkrete për portierin, që kërkohet nga Al Nassr.
Paga pritet të jetë 300 mijë euro në javë, duke u shndërruar në lojtarin më të paguar pas Cristiano Ronaldos te skuadra arabe. Interes për shërbimet e portierit spanjoll ka edhe nga Bayern Munich. Bavarezët nuk do të kenë në dispozicion Manuel Neuer për duelet parasezonale, duke rritur dyshimet e prezencës së gardianit te gjiganti gjerman.
Lamtumira e De Gea ka lënë bosh pozicionin e portierit te Manchester United. Djajtë e kuq kanë shumë pak alternativa për portën, pozicion që mund t’i besohet futbollistëve të rinj dhe që nuk kanë debutuar ende në ekipin e parë. Kjo ka rritur presionin e United mbi Interin, ku synohet firma me portierin, Andre Onana.
Operacioni që do të sjell mbylljen e marrëveshjes pritet të bëhet për shifrën e 50 milionë eurove. Skuadra angleze e dëshiron portierin që në turneun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të qëndrojë nga 19 deri më 31 korrik, e ku do sfidojë skuadra si Arsenal, Wrexham, Real Madrid dhe Borussia Dortmund. Në sezonin e parë me Interin, Onana u detyrua të nxjerr topin nga fundi i rrjetës në 36 raste në 41 ndeshje, 19 prej të cilave nuk pësoi asnjë gol. Zikaltërit paguan në arkat e Ajax 12 milionë euro në sezonin e shkuar, por tani duket se fitimi do të katërfishohet.