Mesfushori i kombëtares shqiptare të futbollit, Ylber Ramadani mund të luajë në sezonin e ardhshëm te Lecce. Lojtari 27 vjeçar është pjesë e ekipit skocez të Aberdenit, me kontratën që i përfundon më 31 maj 2025.
Ai ishte një ndër futbollistët kyç për skocezët sezonin e shkuar, duke i ndihmuar që të dilnin të tretët në kampionat, e po ashtu me skocezët që po bëhen gati të luajnë në kompeticionet Europiane.
Sipas calciomerkato.it. klubi italian ka nisur kontaktet me shqiptarin, me këtë të fundit gati të nisë një aventurë të re në kampionatin italian të futbollit. Një tjetër emër që pëlqehet nga Lecce është edhe ai i Thomas Strakoshës.
Gardiani kuqezi është pjesë e Brentfordit, ekip ku ka gjetur pak hapësira. Nisur nga eksperienca e tij në Serie A, te Leçe besojnë se ai do të garantojë siguri në portën e ekipit puljez që po bëhet gati për sezonin e ri në elitën e futbollit italian.
Ndërkohë që në Serie A, do të luajë një tjetër futbollist shqiptar.
Marvin Çuni është afrimi i fundit i Frozinones, skuadrës së drejtuar nga Eusebio Di Francesco. Sulmuesi 22 vjeçar firmosi për 3 sezone. Çuni erdhi nga Bayern Munchen që e kishte huazuar te Saarbrucken në sezonin e kaluar. Çuni është aktivizuar me moshat e Shqipërisë. Te Frosinone do të bashkohet me një tjetër shqiptar, mbrojtësin Sergio Kalaj.