Bilanc lufte në Francë pas natës së 5-të të protestave të dhunshme. Nën moton “Drejtësi për Nahelin”, mijëra të rinj u përplasën me policinë në rrugët e Marsejës, në Paris por edhe në shumë qytete të tjera. Protestuesit kanë sulmuar me mjete të forta forcat e rendit si ju kanë vënë zjarrin makinave e dyqaneve ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës.
Trupi i pajetë i 17-vjeçarit Nahel, i cili u vra të martën e shkuar nga policia franceze pasi nuk ndaloi për një kontroll rutinë, është përcjellë për në banesën e fundit këtë të shtunë. Pas shërbimit në një xhami në periferi të Parisit, trupi i tij u dërgua në varrezat lokale, teksa qytetarë të shumtë iu bashkuan ceremonisë së funeralit.
Pas funeralit rifilluan përplasjet e dhunshme mes të rinjve dhe forcave të policisë, e cila u përgjigj me forcë.
Raportohet për mbi 480 të rinj të arrestuar vetëm të shtunën në mbrëmje, mosha mesatare e të cilëve është 17-18 vjeç. Nga përplasjet janë lënduar 79 punonjës të policisë. Ndërsa bilanci i dëmeve është katastrofik. Janë djegur 1.350 makina, janë dëmtuar 266 ndërtesa dhe mbi 30 komisariate policie.
Për shkak të situatës, presidenti Emanuel Makron anuloi edhe një takim të planifikuar në Gjermani.