Një nga aspektet identifikuese të Formula 1 është zhurma që makinat bëjnë gjatë garave të kampionatit botëror. Por me kalimin e viteve për shkak të ndryshimeve të rregullave, zhurma origjinale është zvogëluar.
Por duket se ky aspekt do të ndryshojë, pasi shefi ekzekutiv i Formula 1, Stefano Domenikali po planifikon që ta rikthejë tingullin zhurmues te makinat njëvendëshe.
Rregullorja e re do të hyjë në fuqi në vitin 2026, e një ide e tillë mirëpritet nga skuderitë por edhe tifozët, raporton spanjollja AS.
Domenikali tha se zhurma e lartë që vjen nga makinat është pjesë e emocionit në Formula 1 dhe se kjo është ajo që fansat duan, e për organizatorët shikohet si detyrim.
Në 2014, Formula 1 vendosi që makinat të përdornin motor me 6 cilindra turbo dhe zhurma e tyre u reduktua. Nga viti 2026, sërish motorët do të kenë 6 cilindra por nuk do të përdoren pajisje që t’i bëjnë ‘të punojnë’ në qetësi. Sipas Domenikalit, Formula 1 duhet që të ketë një tjetër tingull.