Një kryebashkiak francez ka bërë të ditur se kushtet në Mont Blanc tani janë aq të rrezikshme sa që alpinistët duhet të paguajnë një vlerë prej 15,000 € për të mbuluar shpenzimet e shpëtimit dhe funeralin.
Kryebashkiaku Jean-Marc Peillex tha se kostoja mesatare e një shpëtimi në mal ishte 10,000 € dhe kostot e funeralit ishin 5,000 €. “Është e papranueshme që taksapaguesi francez të mbulojë këto shpenzime”, u shpreh ai në një deklaratë për shtyp.
Deklarata e tij në faqen zyrtare të fshatit Saint-Gervais vuri në dukje se udhërrëfyesit malorë tani po refuzonin të merrnin alpinistët. Ai i tha BBC-së “Doja t’i bëja njerëzit të reagonin, të kuptonin se sot është shumë e rrezikshme, pothuajse vetëvrasëse të ngjitesh”.
Sakaq, kryebashkiaku nuk ka nxjerrë ende një vendim ligjor për vlerën e propozuar, por ka fuqinë për ta imponuar atë, tha ai për BBC. “Nëse dikush mendon se është e paligjshme, ai mund të shkojë në gjykatë për ta kundërshtuar atë,” shtoi ai.
Mungesa e borës së dimrit dhe vapa e jashtëzakonshme e kësaj vere kanë destabilizuar shkëmbinjtë dhe kanë bërë më të vështirë kalimin e çarjeve. Nxehtësia, që i atribuohet ndryshimeve klimatike, ka rritur gjithashtu rrezikun e ortekëve në Alpe, pasi akullnajat shkrihen.